Qendra e Kompetencës ” Kujtim Krasniqi” në Malishevë është ofrues i Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe funksionon në të dyja llojet e arsimit, atë formal dhe jo formal (për të rritur).  Nivelet e arsimit  janë të definuara sipas standardit ndërkombëtar për kualifikim në përputhje me ligjet në fuqi. Niveli i I përfshinë klasën 10+11.  Kjo shkallë ofron kualifikimin bazik dhe mundëson punësimin në treg të punës si punëtor i gjysmë kualifikuar.  Niveli i II, është vazhdimësi e nivelit te I, përfshinë klasën 12, dhe mundëson punësim në treg të punës si punëtor i kualifikuar.  Shkolla për secilin nivel organizon vlerësimin e brendshëm në fund të vitit, për të matur arritshmërinë dhe nivelin e kompetencave profesionale të nxënësve.  Nxënësit kanë të drejtën e studimeve universitare pas përfundimit me sukses të provimit të maturës shtetërore.

 

 

Kush ishte Kujtim Krasniqi ?

Biografia e Dëshmorit të Kombit Kujtim Krasniqi- 1976- 1999.

kujtim-krasniqi

Kujtim Krasniqi, u lind më 3 dhjetor 1976 në fshatin Damanek. Shkollën fillore e kreu në Lumishtë, të mesmen në Malishevë, ndërsa studimet i vazhdoi në Prishtinë në Fakultetin Juridik.

Kujtim Krasniqi rrjedh nga një familje me traditë patriotike e atdhetare të dëshmuara qysh herët, me veprimet e paraardhësve të tij të cilët u keqtrajtuan nga okupatori serb, por çdoherë ju përgjigjen atdheut aty ku kishte nevojë.

Këtë traditë të familjes së tij me fanatizëm e vazhdoi edhe Kujtimi i cili kushtrimit te komandantit legjendar, Adem Jashari, iu përgjigj me rreshtimin e tij në radhët e UCK-së në vitin 1997.

Krismat e para të lirisë ishin shenjë që flakët e shpirtit të tij,  kishin hapur të gjitha palët e flamurit dhe të ëndrrave e pasioneve të kahmotshme çlirimtare.

Në rrugën e shenjtë për liri nuk e lë vetëm kushëriri i tij, Enver Krasniqi, i cili  që t’i përgjigjet armikut nisët se bashku me Kujtimin për realizimin e ëndrrës se kahmotshme. Të dy rreshtohen përkrah komandant, Kumanovës, në njësitin “ÇELIKU” në malet e Kleçkës.

Njëkohësisht  vëllai i tij Shpejtimi së bashku me kushërinjt e tyre iu kishin bashkangjitur radhëve të njësitit “ZOGU” të UCK-së në fshatin Cerovik.

Mirëpo, anash nuk rrinte as familja e tij,  e cila u bë çerdhe e flakët , që po bëheshin copë për t’i dhënë më shumë flakë çlirimit të Kosovës.

Kujtimi dhe shokët e tij pas vendosjes në Kleçkë, menjëherë vazhduan kontributin e aksioneve diversante. Me sukses kryen shumë aksione kundër forcave të armatosura serbe në Grykën e Llapushnikut, Arllat, Gjurgjicë, Gexhë, Rahovec, Malishevë e gjetiu.

Kujtimi ishte  gjithnjë i vetëdijshëm dhe krenar që po i bënte atdheut argatin meritor.

Në vitin 1998, në Grykën e Llapushnikut emërohet Komandant Togu i kësaj pike.

Me 25 korrik të vitit 98-të, armiku merr ofensivë të ashpër duke përdorur tërë arsenalin e rëndë,  që kishin në dispozicionin e tyre, aty ku Kujtimi me shokë nuk zbrapsen, por qëndrojnë stoikisht në istikamet e tyre të pathyeshme.

Ndërkohë formohet njësiti special ku në pesëshen e parë ishte edhe Kujtimi, duke dhënë një kontribut të çmuar.

Më vonë bëhet shoqërues i komandantit të Zonës Operative të “Pashtrikut”, Tahir Sinanit. Kujtimi ishte pjesë edhe operacionit të njësisë speciale për  të hapur korridorin për operacionin ’’Shigjeta’’.

Ai edhe në këtë aksion me guximin e tij prej luftëtari të denjë të lirisë së bashku me shokët e tij arrijnë të çajnë rrethimin dhe të vazhdojnë sulmet kundër pushtuesve serbë kudo në atdheun tonë.

Në ditët e rënda të qershorit të vitit 99-të armiku merr një ofensivë tjetër të madhe me synim për t’u ngjitur në malet e Kleçkës.

Kujtimi me tre shokë nisen për t’u shkuar në ndihmë shokëve të tyre, por në fshatin Senik përballen me forcat ushtarake serbe, aty zhvillohet një luftë e pabarabartë forcash, por duke i shkaktuar dëme të mëdha armikut.

Pas përballjes krenare dhe vetëmohuese, Kujtimi, bashkë me shokët e tij, Milaim Behën dhe Ejup Kryeziun bien heroikisht në këtë fushëbetejë,  ndërkaq Hafir Kryeziu plagoset rënd.

Kujtimi, ky vigan i lirisë dhe atdhedashurisë, la kujtim për prindër e shokë:  modestinë, guximin,  shumë virtyte të njeriut të përcaktuar për altarin e lirisë dhe vajzën e vogël Besën, e cila jeton dhe vepron me krenarinë e prindit.

Vepra e tij  e cila e vendosi në altarin e lirisë është shembull tipik i atdhedashurisë, përkushtimit për jetën, lirinë dhe çlirimin kombëtar.

Sakrifica e tij, motivi e dashuria për lirinë e vendit janë shembulli më i mirë sesi gjeneratat e ardhshme duhet të veprojnë dhe punojnë për atdheun e tyre.

Ai ishte shumë kompetent me mendjen e tij të ndritur dhe guximin e tij të skalitur, andaj emërtimi i kësaj vatre të diturisë me emrin e tij është emërtim që shkëlqen dhe reflekton përkushtimin për dijen, atdhedashurinë dhe vetëmohimin për liri.

 

Lavdi të gjithë dëshmorëve te Kombit !

Lavdi Dëshmorit te Kombit Kujtim Krasniqi !